Kryeministri Edi Rama ka prezantuar në sheshin “Skënderbej” flotën e re të ambulancave duke ironizuar dhe opozitën.
Në Facebook, ai shkruan se do të kishte qenë hata kombëtare, nëse pandemia do ta kishte gjetur Shqipërinë me opozitën aktuale.
“Me 36 autoambulancat e reja moderne, përmbyllet programi i transformimit të flotës sonë të Urgjencës Shëndetësore, nga një inventar karakatinash me 4 rrota në një fuqi të motorizuar e të pajisur me standardet më të mira europiane.
Imagjinoni vetëm sikur pandemia ta kishte gjetur Shqipërinë me katërrrotakët e katërshes së sotme opozitare dhe sidomos me LSI në drejtimin e shëndetësisë, se çfarë hataje kombëtare do të kishte qenë”, thotë Rama.
Rama u shpreh se pas pajisjes me këtë flotë autoambulancash, tashme duhet që puna të vazhdojë me intensitet.
“Gjithë ajo lemeri e rrënimi çerek shekulli është prapa krahëve. Me këtë ristrukturim të procesit mbetet për të mbajtur nivelin dhe për të vazhduar me intensitet. Momenti kur do kalojë kjo flama e covidit do të jetë shumë më e qetë, për aq sa mund të përdoret kjo fjalë. Do jetë më e stabilizuar”, deklaroi kryeministri.
