Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, tha se dëmet e shkaktuara nga përmbytjet në krahasim me vitin 2010 janë shumë herë më të ulëta.
Ai tha se ka pasur një bashkërendim forcash me shtabet bashkiake, gjë e cila ka reflektuar një menaxhim më të mirë të situatës, pavarësisht se përmendi faktin se rreziku i përmbytjeve është ende prezent.
“Ka qenë disa ditë intensive. Së pari, duhet të përmendin punën e shtabeve bashkiake dhe të prefekturave. Ka pasur një bashkërendim të shtabeve në Shkodër, Dibër, Lezhë, Fier, Vlorë, Durrës dhe Gjirokastër, Tiranë, ku rreziku ka qenë më i madh. Është hera e parë që vihet re një bashkëpunim në këtë nivel. Krahasuar me prurje e 2010, këto shifra (të dhënat e përmbytjeve) janë fare modeste”, tha ai në Euronews Albania.
Përballë gazetares Bruna Çifligu, ministri Peleshi bëri një bilanc paraprak të sipërfaqeve të përmbytura dhe banesave të evakuuara për shkak të ujit. Ai u shpreh se aktualisht në të gjithë vendin janë rreth 8900 hektarë tokë, që janë përmbytur dhe 46 banesa të evakuuara në qarkun e Lezhës.
