Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi është takuar me banorë të njësisë nr. 10 në Tiranë ku u shpreh se shteti është kthyer në “xhelat” të qytetarëve.
“Rastin i djeshëm i vajzës që ka paguar 8 milion lekë për të ëmën te COVID-2 ka qenë flagrant. Është absurde mënyra se si familjarët nuk mund të komunikonin dot me të afërmit e tyre pacientë dhe kjo gjë u faktua dje. Problemi është shteti që duhet të jetë institucioni që ju përgjigjet njerëzve, sepse ne prandaj paguajmë taksa dhe kemi vendosur rregulla. Ky shtet është kthyer në një xhelat të qytetarëve.
Megjithatë ajo që e shikoj në të gjitha takimet dhe bashkëbisedimet është që njerëzit kanë dëshirën e madhe për të ndryshuar këtë realitet dhe ky është një avantazh i madh”, u shpreh Kryemadhi.
Ajo shtoi se votimi më 25 prill është i rëndësishëm për të bërë ndryshimin. “Unë në takimet që kam me qytetarët u them që secili nga ne duhet të bindë një familjar, një mik, një shok që të shkojë më 25 prill të votojë, sepse votimi është një nga pikat kryesore të ndryshimit. Ndëshko atë që sillet keq me ty”, thotë ajo.
