Enderis Doda, i akuzuar për vrasjen e shokut të tij, nuk ka pranuar të flasë shumë para gjykatës përveç faktit ku i kërkoi familje familjes së Petrit Bibës.
Para trupit gjykues, Doda është shprehur i shokuar për ngjarjen teksa ende nuk donte ta besonte se shoku i tij, ka ndërruar jetë. “Nuk dua ta besoj, nuk jam i gatshëm të flas për çfarë ka ndodhur. Veçse i kërkoj falje familjes”, u shpreh i riu, raporton Panorama.
Ngjarja e rëndë ndodhi të premten, ku pas krimit, 25- vjeçari u largua nga vendngjarja. Ndërsa i riu Biba, pas plagëve të marra u dërgua me urgjencë në Spitalin e Shkodrës, por nuk mundi t’i mbijetonte plagës që kishte marrë në bark.
Në bazë të deklarimeve që Doda ka dhënë në Polici, mendohet se gjithçka ka ardhur nga pakujdesia. Ai ka treguar se me viktimën kanë qenë miq të ngushtë dhe në momentin e ngjarjes kanë qenë duke luajtur me armën, e për fat të keq, është shkrepur aksidentalisht.
Doda ka treguar se ata jetonin në një shtëpi të përbashkët, pasi po punonin në një hidrocentral që po ndërtohej në fshatin Vrith.
