Me rastin e 11-vjetorit të Pavarësisë së vendit, qeveria e Kosovës ka zhvilluar sot mbledhjen solemne të drejtuar nga Kryeministri Ramush Haradinaj. Në fjalën e tij Haradinaj shprehu konsideratë për atë që e quajti “përvjetori i shënimit të ngjarjes më të madhe të Kosovës dhe popullit të saj.
“Pavarësia jeton në ne dhe me neve dhe për Pavarësinë të gjithë kemi rrëfimin tonë”. Në këtë ditë do të shprehim gjithë falënderimin tonë për të rënët për liri, për miqtë dhe të gjithë ata që ndihmuan rrugëtimin e Kosovës drejt realizimit të aspiratave për liri dhe pavarësi. Me kujdesin më të madh jemi përballur me të gjitha temat që i kanë dalë para Kosovës, para Qeverisë, dhe njëkohësisht me respektin më të madh për interesin e qytetarëve të vendit. Ka shumë vendime, shumë ligje, reforma, vendime të mëdha sikurse ishte ushtria, vendimet që lidhen me Trepçën, me resurset tjera ekonomike”, tha kryeministri Haradinaj .
Pas mbledhjes, kabineti qeveritar ka vazhduar me aktivitetet e shënimit të përvjetorit të Pavarësisë, fillimisht me ngritjen e flamurit shtetëror në oborrin e Qeverisë, me nderimet të statuja e Presidentit Historik Ibrahim Rugova dhe me nderimin te pllaka përkujtimore për të zhdukurit.
