Tom Doshi ka depozituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për regjistrimin e partisë së tij, PSD për zgjedhjet e 25 prillit.
Depozitimi i kërkesës është bërë në cilësinë e kryetarit të kësaj partie. Dy ditë më parë ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim kërkoi që Doshi të mos kandidojë në zgjedhjet e ardhshme.
““Ndërsa autoritetet zgjedhore të Shqipërisë përgatisin zgjedhjet, ia vlen të kujtohet ky emërim, i bërë nga Sekretari i Shtetit i SHBA-së pas shqyrtimit të kujdesshëm të informacionit. Me siguri, votuesit e Shqipërisë meritojnë më mirë”, shprehet Kim.
I pyetur për këtë një ditë më parë, kryeministri Edi Rama i ka devijuar përgjigjes duke thënë se nuk do të komentojë më deklarata të ambasadores.
“Sa herë të më pyesni për ambasadoren nuk do jap përgjigje, se keni abuzuar e spekuluar në mënyrën me skandaloze duke krijuar një ngjarje që nuk ekziston. Faktikisht, përgjigja ime lidhur me pyetjen që mu bë ishte shumë e thjeshtë dhe e qartë nuk ka nevojë të më vëni përpara ambasadoren për të më kujtuar detyrën që kam para ligjit dhe njerëzve sepse këtë e di vetë, s’ka nevojë të ma përdorni ambasadoren si karrem që ju të bëni telenovela. Nuk jap më asnjë përgjigje sa herë të më pyesni për ambasadoren”, ishte përgjigja e Ramës.
Kujtojmë që partia e Tom Doshit është në koalicion me Partinë Socialiste.
