Shërbimi për Çështjet e Brendshme pranë Policisë së Shtetit nuk do të quhet më kështu, por Agjencia e Mbikqyrjes Policore dhe do të jetë në varësinë e Ministrisë së Brendshme.
Në ndryshim nga SHÇBA, drejtuesi i së cilës emërohet dhe shkarkohet direkt nga ministri i Brendshëm, drejtuesi i AMP bëhet direkt nga Kryeministri i vendit, dhe propozohet nga ministri.
Ky projektligj pritet të kaloj në disa komisione parlamentare, për t’u depozituar përfundimisht në Kuvend për votim në 4 mars.
Objektivi i AMP do të jetë parandalimi, zbulimi dhe hetimi i shkeljeve administrative dhe veprave penale në Policinë e Shtetit, Gardën e Republikës dhe Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi.
Agjencia do të ketë rol në inspektimin, shqyrtimin dhe trajtimin e ankesave, procesin e Vetingut në polici si dhe verifikimin e punonjësve mbi plotësimin e kushteve për pajisjen me certifikatë sigurie. AMP-ja do të ketë në bazë të saj edhe përdorimin e testit të poligrafit, i cili në vendin tonë është përdorur për kandidatët për drejtues dhe hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
