Pas një javë mësimi online për shkak kushteve ekstreme të motit, arsimi parauniversitar është rikthyer në bankat e shkollës. Kujtojmë se deri në klasën e pestë mësimi do të zhvillohet në banka.
Ndërsa nga klasa e gjashtë në të 9-tën me formën e alternuar teksa shkollat e mesme kanë kaluar tërësisht online deri më 25 shkurt.
Ndërkaq, ministrja e Arsimit bëri të ditur këtë mëngjes se që prej vitit 2013 janë krijuar 270 shkolla komunitare që janë hapësira të shëndetshme për vullnetarizimin dhe aktivizimin e të rinjve.
“Që prej vitit 2013, kur u ndërmor nisma e shkollës qendër komunitare (SHQK), modeli i saj ka sjellë vetëm dobi ndaj komunitetit duke krijuar hapësira shumë të shëndetshme për vullnetarizmin dhe aktivizimin e të rinjve” – shprehet ajo.
Ministrja Evis Kushi thekson gjithashtu se “Sot kemi 270 shkolla qendra komunitare në vend ku fuqizohet në mënyrë të vazhdueshme partneriteti ‘shkollë-familje-komunitet’ dhe kontribuohet drejtpërdrejt në zhvillimin e potencialit të nxënësve tanë”.
Në thelb të “Shkollës Qendër Komunitare” ngelet forcimi i bashkëpunimit të shkollës me komunitetin, me pushtetin vendor dhe me organizata e institucione në vend.
Ato janë kthyer tashmë në modele shumë të mira që sigurojnë jo vetëm arsim cilësor e mirëqenie sociale për çdo nxënës, por edhe në hapësira ku është ndërtuar një partneritet i fuqishëm “shkollë-familje-komunitet” ku bashkëpunohet intensivisht për shndërrimin e shkollës në një mjedis që i shërben komunitetit, si dhe ndërgjegjëson komunitetin për ta bërë atë një partner të rëndësishëm që e mbështet shkollën.
