Një ditë pas vrasjes së dyfishtë në Vlorë policia ka arrestuar në spital 43-vjeçarin Armando Sulejmani, që mbeti i plagosur.
Ndërkohë mësohet se ai kishte pasur me vete armë pa leje, dhe kjo është vepra penale për të cilën akuzohet. Ndërkaq, policia bën të ditur se po punon për kapjen e autorëve duke mos bërë të ditur detaje të tjera për arsye hetimi.
Burime jozyrtare bëjnë të ditur se në vendin e ngjarjes janë gjetur 25 gëzhoja. Një ditë më parë, në “Ujin e Ftohtë” në Vlorë, mbetën të vrarë Orest Rexho, kunati i Sulejmanit dhe Arjan Hasani, miku i tij.
Armando Sulejmani njihet dhe me pseudonimin “Çipuri”. Atij i është bërë atentat edhe në vitin 2016, teksa hynte në banesën e tij në lagjen “Pavarësia”, në qytetin bregdetar, ku i shpëtoi 11 plumbave duke e kapur vetëm njëri prej tyre. Ai njihet si person me precedentë të shumtë penal.
43-vjeçari njihet nga policia si anëtar i bandës së Gaxhait. Ai ishte i dënuar me 20 vite burg për vrasje, ndërsa fitoi lirinë rreth 3 vite më parë.
