Mbrëmjen e sotme kanë mbërritur nga “Pfizer” 8190 vaksina të tjera. Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico është shprehur se do të vijohet me personelin shëndetësor dhe të moshuarit.
E ndërsa zv/ ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli tha mbrëmë se personat mbi 80-vjeç që do të vaksinohen po përzgjidhen nga mjeku i familjes, Fico shpjegoi arsyet e këtij vendimi.
“E rëndësishme është për të shkuar përpara me këtë proces. Me 8 mijë dozat e para dhe ato që pritet të vijnë të vijojmë planin e vaksinimit që ka dy grupet e para; personeli shëndetësor dhe paralelisht, kemi filluar para disa ditësh edhe vaksinimin e të moshuarve”.
Por sa gjasa ka që mjeku i familjes do i rezistojë presionit të ndërhyrjeve?
“E para personalisht duke qenë mjeke nuk kam dyshim te mjeku i familjes, pasi është ai që është pranë qytetarit. Mjeku i familjes është aty kur ka probleme. Armata e mjekëve ka punuar gjithmonë në presion.
Nuk dua ti paragjykoj. A ju besojmë mjekëve të familjes? Pa diskutim, pasi janë kontakti i parë në këtë betejë. Mjeku i familjes ka fashën moshore dhe listën e patologjive për t’i çuar për vaksinim” tha Fico.