Ish-ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj e ka cilësuar si të pajustifikueshme vonesat e kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha për të nënshkruar marrëveshjet me aleatët për mënyrën si do të futen në zgjedhje.
I ftuar në Radarin Informativ, Mustafaj tha se është e pritshme që të gjitha partitë të kenë kërkesa të mëdha.
I pyetur se si ka menaxhuar Basha negociatat me aleatët e vet, ish-ministri shprehur rezervat, duke mos justifikuar vonesën e kryedemokratit.
“Unë besoj mirë. Jo shumë mirë. Do të kisha menduar, se ka ceduar tek koha. I ka lënë për në minutën e fundit. Nuk kishte asnjë arsye që të dorëzohen ditën e fundit para mesnatës. Ka pasur kohë të mjaftueshme që këto gjëra të zgjidhen edhe para tre muajsh. Nuk e di pse i ka lënë në minutën e fundit. Ajo që do mbyllet sot, nuk i mbyll negociatat midis tyre se kur të vijë puna te zbatimi i kësaj marrëveshje te lista, janë më të vështira, nuk mund të bëheshin më përpara. Por emri dhe logo duhej të bëheshin ngeshëm javë e javë më parë”, tha ai.
Lënia e gjërat në minutë të fundit, Mustafaj e quan çështje stili të Lulzim Bashës.
“Është çështje stili. Në 2017 pati një emergjencë që lidhej me çadrën dhe marrëveshja e famshme. Këtë herë nuk justifikohet”, tha ai.
