Mesnata e këtij tetë marsi është afati i fundit për partitë politike që të dorëzojnë listat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 25 prillit.
Një ditë më parë ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim tha se SHBA-të kanë qenë të qartë përsa i përket përbërjes së listave dhe përgjegjës janë drejtuesit e partive.
“Listat e paraqitura nga partitë nesër do të na tregojnë nëse udhëheqësit e shqiptarë e kanë kuptuar mesazhin nga SHBA, nëse janë të përkushtuar për anëtarësimin në BE dhe nëse janë të gatshëm të marrin vendimet e vështira të nevojshme për një të ardhme më demokratike dhe të prosperuar për Shqipërinë. Ne presim që krerët e partive të demonstrojnë lidershipin e vërtetë. Ne do t’i bëjmë përgjegjës drejtuesit e partive”, thuhet ndër të tjera në mesazhin e Yuri Kim.
Kujtojmë se opozita e bashkuar ka lidhur në marrëveshje parazgjedhore, ku përfshihen PD, LSI dhe aleatët e tyre, ndërsa PS nuk ka bërë deri tani asnjë marrëveshje.
Ndërkohë që kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi dhe presidenti Ilir Meta i janë drejtuar me një kërkesë qeverisë, ministrisë së Brendshme dhe Kuvendit që të shtyhet afati i kartave të identitetit që skadojnë para 25 prillit.
Sakaq, socialistët pritet të mbledhin kryesinë e PS këtë pasdite për të finalizuar kështu listën përfundimtare të kandidatëve.
