Partitë priten të dorëzojnë listat me emrat e kandidatëve pjesëmarrës në listat e zgjedhjeve të 25 Prillit ditën e sotme, ku afati përfundon mesnatën e kësaj të hëne, e vendosur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Zbardhen detaje nga mbledhja e kryesisë që Partia Socialiste do të mbajë në orën 18:00. Sipas mediave, në mbledhje do të diskutohet mbi listat e kandidatëve.
Dy kryebashkiakët, Dritan Leli i Vlorës dhe Dionis Ymeraj i Dibrës, sipas medias kanë dhënë dorëheqjen nga posti dhe do të pozicionohen në listat e kandidatëve për deputetë. Një risi është dhe renditja e Edi Ramës në listat emërore të kandidatëve.
Nuk dihet nëse kjo ka qënë një lëvizje me vullnet, apo e detyruar, duke njohur debatet e forta në Vlorë mes tij dhe drejtuesit politik, Gjiknuri.
Kryeministri do të kandidojë në 2 qarqe, Durrës dhe Vlorë, por në të dyja, pritet ta pozicionojë emrin në të 8-in në radhë. Kjo sipas gazetarit, është një strategji elektorale për të maksimalizuar votën.
Të dhënat që kanë nisur të dalin në media, po ashtu tregojnë se drejtuesit politik të PS nuk do të jenë të parët në lista, por do të jenë pranë vijës së kuqe
Ndërkohë, pak minuta më parë në KQZ ka dorëzuar listën e kandidatëve Partia Lëvizja për Ndryshim, e drejtuar nga ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli.
