9 marsin e një viti më parë të gjithë u zgjuam me lajmin e ankthshëm se koronavirusi kishte mbërritur edhe në Shqipëri. Ajo që prej dy muajsh i druheshim të gjithë, e që shihnim pamjet që vinin nga Kina dhe nga Italia e afërt tashmë kishte ardhur.
Vendi nuk kishte marrë ende veten nga tërmeti dëmtues i 26 nëntorit 2019 kur u përball me këtë situatë që pasoi me një karantinë 3-mujore e më pas hapje graduale të vendit.
Sot një vit më pas, mjekja e Spitalit Infektiv Andriada Meta duke sjellë ndërmend një vit më parë për tirananews.al kujton se ishin ditë me shumë ankth dhe pasiguri ku shumë pak dihej për virusin.
“Është e vërtetë u bë një vit. I kujtoj si ditë me shumë ankth edhe pasiguri. Ishte diçka e re e panjohur, që e gjithë bota i frikësohej që nuk diheshin mirë efektet dhe trajtimi”, thotë dr. Meta për tirananews.al.
Por cilat janë vështirësitë që përballen sot një vit më pas mjekët e spitalit COVID, në një kohë që ngarkesa në spitale është më e madhe por më të mëdha janë dhe njohuritë për virusin dhe trajtimin e tij. Për dr. Adën siç e njohim të gjithë, problem janë moshat e reja dhe fakti se të sëmurët shkojnë me shumë vonesë në spital dhe të pa mjekuar.
“Sigurisht që një vit më pas çdo gjë është ndryshe. Edhe ne mund të themi që jemi pak më shumë familjar me këtë patologji pavarshisht se kemi zhvillime të reja çdo ditë edhe mutacione që japin simptomatologji të ndryshme në individë të ndryshëm. Problem vazhdon akoma fakti që të sëmurët vijnë shumë vonë në spital, kemi akoma raste që vijn shumë vonë edhe janë të pa mjekuar. Problem i madh janë edhe moshat e reja, të cilët fillimisht i neglizhojnë shenjat edhe keqmenaxhohen”, thotë më tej dr. Ada.
E vetmja shpresë për të shpëtuar nga kjo pandemi është vaksina dhe apeli i mjekes është se duhet të inkurajohen të gjithë, dhe më skeptikët që ta bëjnë vaksinën.
“Po i kam bërë të dyja dozat e vaksinës. Duke qenë në kontakt të ngushtë me këto pacientë si specializante anestezi-reanimacion ne ishim ndër të parët që e bëmë vaksinën. Duhen inkurajuar të gjithë ta bëjnë, edhe më skeptikët sepse mesa duket është e vetmja mundësi e cila do i japi fund kësaj pandemie”, bën apel ajo.

Dr. Andriada Meta ishte pjesë e ekipit të mjekëve që një vit më parë shkuan në Itali në ndihmë të kolegëve atje për të përballuar situatën kaotike të krijuar në spitalet atje, por ndërkohë u shërbeu dhe si një eksperiencë që i ndihmoi në punën e tyre në përballimin e pandemisë.
“Kur ne vajtëm atje ishte situatë emergjence ndërkohë që tek ne akoma ishin rastet e para. Italia kishte më shumë kohë dhe eksperiencë në trajtimin e këtyre të sëmurëve gjë që neve na shërbeu për të marrë dhe fituar më të mirat nga ajo situatë, në trajtimin dhe menaxhimin e të sëmurëve”, thotë ajo.
Edhe më herët, por sidomos në këtë situatë pandemie çështja e largimit të mjekëve vijon të mbetet në qendër të debateve. Për mjeken largimet vijojnë ende dhe kjo pasi puna dhe gjithë sakrificave e profesionistëve të mjekësisë nuk vlerësohen siç duhet.
“Largimi i mjekëve vazhdon akoma temë debati sepse akoma kemi largime të shumta nga vendi. Akoma edhe sot puna edhe gjithë sakrificat e profesionistëve të mjekësisë nuk vlerësohen siç duhet. Mbase kjo është një ndër arsyet pse kaq shumë mjekë e infermierë ikin nga vendi”, shpreh ajo mendimin e saj.
Në një intervistë më herët për tirananews.al, Viktor Kola i konsideruar si pacienti zero bashkë me të birin Paulinin 9 marsin e një viti më parë i qëndronte bindjes se edhe pse u konsideruan të tillë nuk ishin ata pacientët zero për Shqipërinë.
“Që në janar ndoshta e para janarit. Kam gocën time farmaciste që ka shitur ilaçet dhe kam lexuar disa mesazhe të spitalit që thoshin infermierët nuk kemi të drejtë të flasim se korona ka hyrë”, është shprehur Viktor Kola në intervistën dhënë në nëntor për Tirananews.
Lexo edhe- EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i “pacientit zero” Viktor Kola
Më 11 mars gjithashtu bëhet një vit që kur COVID-19 u shpall pandemi botërore nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, nga e cila ende nuk kemi shpëtuar. Aktualisht vendi nuk është në izolim total teksa vijojnë disa masa kufizuese të vendosura nga Komiteti Teknik i Ekspertëve si kufizimi i lëvizjes nga ora 20.00-06.00, mësimi online për shkollat e mesme dhe i alternuar për klast 6-9 dhe universitetet online.
Prej 11 janarit ka nisur dhe procesi i vaksinimit në vend që nisi me bluzat e bardha për të vijuar edhe sot me kategori të tjera të shoqërisë.
Pandemia solli ndryshime në të përditshmen e secilit prej nesh, në ekonomitë e vendeve por dhe mënyrën e punës dhe jetës, por siç ka thënë edhe Sokrati “sekreti i ndryshimit është të përqendrosh të gjithë energjinë jo në luftimin e të vjetrës, por në ndërtimin e të resë”. / A.B- tirananews.al
