Një 66-vjeçar për pak sa nuk ka humbur jetën pasi është shtypur me makinë nga bashkëfshatari i tij. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Zahrisht të Hasit, dhe “mollë sherri” ka qenë një rrugë ku kalonte me makinë autori i ngjarjes.
Sipas burimeve zyrtare të policisë, është arrestuar në flagrancë M.M., 38 vjeç “pasi, për motive pronësie, ka goditur me automjetin tip “Mitsubish Pajero”, shtetasin I.A., vjeç 66, banues në fshatin Zahrisht, Has”.
E në fakt i moshuari nuk e linte të kalonte pasi pretendonte se ishte tokë e tij, e pas debatit i riu ka tentuar ta shtypë. I dëmtuari ka marrë mjekim në spitalin Rajonal Kukës, dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndaj 38-vjeçarit rëndon akuza e vrasjes me dashje mbetur në tentativë.
