Nën moton “Shqipëria e ardhmja jonë” u prezantua sot në Asamblenë e Partisë Socialiste Mat, deputetja e Qarkut Dibër Aurora Mara.
Kryetari i Bashkisë Mat Agron Malaj dhe Kryetari i PS Hasan Pasha u shprehën të sigurt në fitoren e zgjedhjeve të 25 prillit.
“Kandidatja jonë, nuk i tradhtoi zgjedhësit matjanë, dibranë e bulqizakë. Ajo u bë pjesë e Kuvendit të Shqipërisë dhe dha ndihmën e pakursyer në Komisionin e Ligjeve.”, u shpreh Pasha.
Kryetari i Bashkisë Mat Agron Malaj nënvizoi se Aurora Mara vjen nga një familje e nderuar matjane, me vlera dhe kontribute në krahinë. “Strukturat e PS Mat kanë përfunduar përgatitjet për fitoren e thellë në zgjedhjet e 25 prillit. E kemi detyrim dhe obligim ta mbështesim Kryeministrin Rama.”, tha Malaj.
Më tej deputetja Aurora Mara tha se ishte krenare që është bijë e Matit dhe që ka kontribuar për bashkëqytetarët e saj.
“U bëra pjesë e Parlamentit për ta bërë realitet reformën në drejtësi. Vetëm Edi Rama dhe Partia Socialiste mund ta zhvillojnë këtë. Jo vetëm Mati, por e gjithë Shqipëria është kthyer në kantier ndërtimi. Do të jem zëri i banorëve të Matit, Dibrës dhe Bulqizës në Kuvendin e Shqipërisë.”, përfundoi Mara.
Ndërtimi i Rrugës së Arbërit, Ujësjellësi i Zallë Gjoçajve dhe shumë investime të tjera do tua ndryshojnë jetesën banorëve të Matit.