Kreu i shtetit Ilir Meta tha në një prononcim për mediat se në ditët në vijim publiku do të jihet me planin e tij për mbrojtjen e votës së lirë. Ai bëri apel që të gjithë të mbajnë duart larg nga vota.
“Se ç’përmban ky plan do të njiheni në ditët në vijim. Çdo shqiptar i ndershëm dhe patriot pavarësisht bindjeve partiake është 100% dakord me Presidentin e Republikës që nuk duhet të vihet më dorë mbi votën sepse prandaj jemi në këtë situatë kaq të rëndë, që udhëheqim në nivel botëror për shpopullimin e vendit, pikërisht se niveli i lirisë së zgjedhjeve është katandisur në këtë situatë që e dini ju dhe që e di gjithë bota. Është një kusht i pakapërcueshëm nga BE për çeljen e negociatave. Të gjithë të mbajnë duart larg nga votat, të kontribuojnë për një fushatë civile dhe europiane, të gjithë të paraqesin alternativat e tyre. Është një gjë e mirë se përveç forcave politike keni mundësi të shpreheni dhe për kandidatin që preferoni duke dhënë një mesazh të qartë që drejtuesit e partive duhet të promovojnë njerëz me integritet që të respektojnë Kushtetutën dhe të jenë shembull i respektimit të ligjit”, deklaroi Meta.
Përsa i përket reformës në drejtësi Meta tha se tashmë drejtësia është e kapur duke sjellë në vëmendje çështjen selisë së FRD-së.
“Si mund të jetë më shumë se sa kaq e kapur reforma në drejtësi. Vetëm rasti që përmendëm pak më parë, a ka ndonjë ndjekje penale për atë situatë që ka ndodhur? Kush i del për zot atyre letrave të bakallait pa firmë pa vulë pa letra protokolli. Së dyti, e shihni si u katandisën dosjet e Shijakut e Dibrës, nga peshkaqenët kaloi në ca cironka. Njësoj si me çështjen e drogës, arrestohen ata që janë kapur për 2 apo tre gram kanabis”, tha Meta.
