Janaq Xega, 46 vjeç, banues në fshatin Xarrë Konispol, është arrestuar dje nga Policia pasi rezultonte person i dënuar.
Xega, me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, është dënuar në tetor 2018 me 2 vite e 10 muaj burg për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”. 46-vjeçari ka tentuar të djegë me lëndë djegëse “benzinë” Pilo Pando, 60 vjeç, në banesën e këtij të fundit për motive të dobëta. Ngjarja ndodhi në maj 2017, ku pas arrestimit, Xega u hetua në gjendje të lirë.
Arrestimi i 46-vjeçarit është bërë në momentin kur ai ishte duke punuar në ndërtim në një banesë në Lagjen nr.4 në qytetin e Sarandës. Në momentin e prangosjes, ai është ndjerë i habitur pasi nuk ishte në dijeni se ishte person në kërkim.
Edhe pse fillimisht ai u hetua për plagosje të lehtë, rrjedha ndryshoi bazuar në raportin mjeko-ligjor, duke bërë që ndaj tij të ngrihej akuza “Plagosje e rëndë me dashje”. Xega pak pas ngjarjes, në maj 2017, u vu në pranga në kushtet e flagrancës. Ai ishte duke konsumuar raki bashkë me fqinjin e tij Pilo Pando në shtëpinë e këtij të fundit, kur tentoi që ta digjte me benzinë 60- vjeçarin.
Shkak për nisjen e grindjes ka qenë një copë tokë, ku secili pretendon pronësinë. Në konflikt e sipër, Janaq Xega i ka hedhur benzinë në këmbë 60-vjeçarit e më pas i ka vënë flakën.
Kanë qenë fqinjët e tjerë ata që e kanë parë gjithë ngjarjen dhe kanë njoftuar Policinë, ndërsa kanë ndihmuar 60-vjeçarin për shuarjen e zjarrit. Pak pas ngjarjes, i dëmtuari u dërgua për mjekim në Greqi. Ndërkohë, pas arrestimit, Xega u shpreh se “nuk kisha qëllim që ta digjja, veçse ta frikësoja”.
