Sot është 1 prilli dita e gënjeshtrave, një ditë në të cilën edhe ata që thonë se nuk gënjejnë priren të thonë një gënjeshtër. Studiuesit, psikologët ndër vite janë munduar të studiojnë sjelljet tipike të njerëzve që mashtrojnë, por ata vazhdojnë t’i qëndrojnë mendimit se është shumë e vështirë ta dallosh një gënjeshtar nga pamja.
Një studim i botuar në “Journal of Basic and Applied Social Psychology” zbuloi se 60 për qind e njerëzve nuk mund të kalojnë 10 minuta pa gënjyer të paktën një herë.
Për të folur në lidhje me këtë çështje ishte i ftuar sot në “Ëake Up”, gazetari dhe psikologu klinik, Ksenofon Ilia. Ai ka zbuluar kush janë gënjeshtarët më të zotë dhe që është vështirë t’i dallosh.
“Është e vështirë në fakt që të dallosh një gënjeshtar, por specialistët arrijnë t’i dallojnë, sepse ndodh që ne kur flasim, padashur ndërgjegjja jonë bën gjeste që nuk janë në sinkron me atë që themi.
Pra vetë ndërgjegjja jonë bën që në pjesë të ndryshme të trupit të fillojnë të ngacmohen që të vijnë në sinkron, që të na mbulojnë, por në fakt nuk ka mbulojnë. Syrin e një specialisti nuk mund ta gënjesh dot.
Specialistët më të mirë në këtë fushë që gënjejnë kemi: politikanët, artistët, drejtuesit e emisioneve, gazetarët në përgjithësi që bëjnë emisionet. E kanë arritur të farë shkathtësie që të kuptohen fare pak, por të tjerët e kanë të vështirë”, tha ai.
