Presidenti Ilir Meta priti sot në një takim kryesuesen e Misionit të Vëzhgimit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit 2021, Ursula Gacek.
Në një postim në “Facebook”, Meta shkruan se informoi ambasadoren a Gacek, për nismën e ndërmarrë prej tij për mbrojtjen e zgjedhjeve të 25 prillit ,duke u krijuar mundësinë të gjithë qytetarëve të denoncojnë: “Shpreha gatishmërinë për bashkëpunim të plotë për të siguruar paprekshmërinë e zgjedhjeve të vullnetit të sovranit”.
Postimi i plotë
Prita sot, me kërkesën e saj, Ambasadoren Ursula Gacek, e cila drejton MisIonin e Vëzhgimit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit 2021. I përcolla Drejtueses së Misionit, vendosmërinë dhe përkushtimin tim të palëkundur për të garantuar, që qytetarët të shprehin lirshëm dhe pa u cënuar, vullnetin e tyre të plotë në votim. Theksova se, do të ndalim me çdo kusht dhe mjet, që presioni i krimit dhe shantazhi mbi qytetarët të minojë zgjedhjet, të shkatërrojë demokracinë dhe të ardhmen europiane.
E informova Ambasadoren dhe Kryetaren e Misionit të Vëzhgimit të OSBE/ODIHR, për nismën time transparente për mbrojtjen e zgjedhjeve të 25 prillit duke ju krijuar mundësinë të gjithë qytetarëve të denoncojnë me kurajo dhe pa hezitim të gjitha presionet, shkeljet dhe parregullsitë, që synojnë tjetërsimin e vullnetit të tyre. Shpreha gatishmërinë për bashkëpunim të plotë për të siguruar paprekshmërinë e zgjedhjeve të vullnetit të sovranit.
