Republikanët i kanë premtuar shqiptarëve se pas ardhjes në pushtet do të zgjidhin përfundimisht çështjen e pronës duke e kthyer atë te pronari si dhe duke i ofruar kompensim me çmimin e tregut.
Gjatë një takimi me shtabin elektoral kreu PR, Fatmir Mediu akuzoi kryeministrin se po i shërben vetëm interesave të tij.
“Njeri i cili në çdo moment i shërben vetëm interesave të veta të pushtetit dhe nuk pyet se ç`ndodh me njerëzit. Ne kemi arritur tashmë me Partinë Demokratike të biem dakord në vlerësimin real të çështjes së të drejtës së pronës. Sot kemi një qëndrim të përbashkët, rivlerësim të legjislacionit për pronën, kthim të pronës tek pronari dhe kompensim me vlerën e tregut. Këto janë qëndrime të reja, jo të Partisë Republikane, por janë qëndrime të reja të së djathtës, duke e sjellë atë në binarët real të raporteve të drejta, sepse liria pa pronën nuk mund të funksionojë”, tha Mediu.