Policia e Fierit bën të ditur se ka vënë në pranga një 55-vjeçar i cili është dënuar në shtetin italian me 7 vjet e 6 muaj burg.
Saimir Mehmeti është dënuar nga Gjykata e Genova për veprat penale të grupit kriminal, shfrytëzim prostitucini dhe plagosje.
“Nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Fier, në bashkëpunim me Interpol Tirana, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, bazuar dhe në informacionet e mara në rrugë policore, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i përkohshëm, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, i shtetasit Saimir Mehmeti, 55 vjeç, banues në Fier. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi autoritetet gjyqësore në Genova, Itali, me vendimin e datës 20.03.2021, e kanë dënuar me 7 vite e 6 muaj burg, për veprat penale “Grup kriminal”, “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Plagosje””, thotë policia.
Mehmeti dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë, ka rekrutuar dhe dërguar ilegalisht në Itali femra shqiptare, të cilat nëpërmjet dhunës i ka shfrytëzuar për prostitucion.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.
