Mons. Angelo Massafra, Kryetar i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë i ka dërguar një mesazh solidariteti kreut të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Bujar Spahiu ku dënon sulmin e sotëm brenda xhamisë në rrugën e Kavajës.
Në mesazhin e tij, Mons. Angelo Massafra thotë se lajmi i sulmit me thikë nga një individ në xhaminë e Dine Hoxhës në Tiranë ku kanë mbetur të plagosur disa besimtarë myslimanë i ka tronditur të gjithë dhe lutet që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.
“Duke shpresuar që ngjarja të zbardhet sa më shpejt në të gjitha detajet e saj, ju shprehim juve, e nëpërmjet jush, të plagosurve e familjeve të tyre, afërsinë e solidaritetin e të gjithë Kishës katolike në Shqipëri.
I lutemi Zotit për ju të gjithë, që po jetoni edhe muajin e Ramazanit, për të plagosurit, për komunitetin tuaj e të gjithë shqiptarët që paqja dhe e mira të mbretërojë në zemrat tona e që ngjarje të tilla të mos përsëriten më”, thotë në letrën e tij, Mons. Angelo Massafra, Kryetar i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë.
