Erisa Xhixho, kandidatja e LSI-së për deputete, e cila arriti që të merrte mandatin e saj në këto zgjedhje, ka falënderuar të gjithë qytetarët për mbështetjen që i dhanë.
Përmes një postimi në ‘Facebook’, Xhixho i shprehu mirënjohje të rinjve, vajzave dhe djemve të LRI-së, që vendosën t’i përkasin një force politike ku ata janë protagonistë, frymëzues dhe drejtues të saj.
“Këto zgjedhje ishin nga më të vështirat e 15 viteve të angazhimit tim politik, u përballëm me presionin e shtetit, me banda, me blerjen e votës, të dinjitetit e varfërisë së zgjedhësve, me frikën e qytetarëve për të bërë një foto në biznesin e tyre apo me shfaqjen në krahun tonë, pasi i trembeshin hakmarrjes së partisë-shtet.”, shkruan Xhixho.
MESAZHI I XHIXHOS
Faleminderit nga zemra për çdo qytetar që më ka hapur derën, që me energji dhe forcën e karakterit ishte pjesë e fushatës së LSI-së, që votoi LSI-në, të cilat për mua janë e do mbeten vota zemre e guximi.
Mirënjohje për secilin nga të rinjtë, vajzat e djemtë e LRI-së, që vendosën t’i përkasin një force politike ku ata janë protagonistë, frymëzues dhe drejtues të saj.
Që sollën në këtë fushatë ide, profesionalizëm dhe një qasje europiane e qytetare e të bërit politikë, duke respektuar dinjitetin e qytetarëve dhe jo përdhosur atë. E di, kjo është një rrugë e vështirë, por e drejtë.
Faleminderit strukturave të LSI-së të njësisë nr. 1 dhe 2, me të cilat unë pata nderin të punoj, e që për mua nuk janë thjesht anëtare partie, por janë miqtë e mi, heronjtë e mi sot e gjithë jetën time. Ata janë forca ime e frymëzimi im.
E di, u kërcënuat, u shantazhuat, tentuan t’ju blejnë e t’ju diskreditojnë me lloj-lloj formash, por ju rezistuat e luftuat deri në fund me dinjitet, sepse besojmë te politika e vlerave dhe te misioni ynë për ta bërë Shqipërinë shtëpinë e shqiptarëve.
Këto zgjedhje ishin nga më të vështirat e 15 viteve të angazhimit tim politik, u përballëm me presionin e shtetit, me banda, me blerjen e votës, të dinjitetit e varfërisë së zgjedhësve, me frikën e qytetarëve për të bërë një foto në biznesin e tyre apo me shfaqjen në krahun tonë, pasi i trembeshin hakmarrjes së partisë-shtet.
Hakmarrja nuk mungoi, pasi prindërit e të rinjve të angazhuar në LSI u persekutuan, u hoqën nga puna, siç ndodhi me atë prind që e pagoi me papunësi vetëm për një përqafim të fëmijës së tij në një takim elektoral.
Kjo nuk është Shqipëria që meritojnë fëmijët tanë, ndaj jemi më të bindur se kurrë në vazhdimin e betejës sonë.
