Partia më e humbur nga zgjedhjet e 25 prillit është padyshim Lëvizja Socialiste për Integrim. Ajo doli me 15 deputetë më pak se në zgjedhjet e 2017, ndërkohë që po ashtu humbi rreth 120 mijë vota. Por kjo disfatë duket se do të ndikojë dhe te roli i saj në Parlament. Deri më tani ishim mësuar që anëtarët e LSI t’i shihnim si pjesë të vendimmarrjes, por nuk do të ndodhë më. LSI drejtonte Komisionin Parlamentar të Integrimit dhe atë të Shëndetësisë, përkatësisht me Klajda Gjoshën dhe Petrit Vasilin, por tashmë nuk do e ketë këtë shans. Tani pritet që drejtuesit e komisioneve të ndahen mes PD dhe PS. Elementi më penalizues për LSI është se nuk krijon dot grup parlamentar. Sipas Rregullores së Kuvendit, duhen 7 deputetë që të krijosh grup parlamentar dhe LSI nuk e ka këtë numër. “Grupet parlamentare, sipas orientimit politik, mund të formohen menjëherë pas konstituimit të Kuvendit ose gjatë legjislaturës, nga deputetë të pavarur, nga deputetë që largohen nga partia politike për të cilën kanë konkurruar në zgjedhje, nga deputetë që janë deklaruar jashtë grupeve ose kur krijohet një subjekt politik i ri. Pas zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit, drejtuesi i seancës lexon listën e partive politike që rezultojnë parti parlamentare, referuar vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, dhe fton deputetët që të plotësojnë deklaratën me shkrim për grupin parlamentar në të cilin do të bëjnë pjesë. Brenda 5 ditëve nga data e zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit ose e marrjes së mandatit gjatë legjislaturës, çdo deputet deklaron me shkrim se në cilin grup parlamentar bën pjesë ose deklarimin si deputet i pavarur ose jashtë grupeve parlamentare. Grupi parlamentar formohet nga jo më pak se 7 deputetë. Çdo deputet mund të jetë anëtar vetëm në një grup parlamentar”, thuhet në rregullore.
Penalizimet
Duke qenë se LSI nuk krijon dot grup parlamentar me 4 deputetë, ajo do të penalizohet në shumë institucione vendimmarrëse të Kuvendit. Nëse i marrim me radhë, LSI penalizohet nga përzgjedhja e anëtarëve të grupeve të miqësisë me vendet partnere. “Kryetari i Kuvendit, në këshillim me kryetarët e grupeve parlamentare, përcakton listën e anëtarëve dhe të kryesive të delegacioneve të përhershme të Kuvendit pranë organizatave ndërkombëtare”, thuhet në rregullore. Po ashtu ajo përjashtohet nga diskutimet për të zgjedhur anëtarët e Byrosë së Kuvendit. “Përbërja e Byrosë së Kuvendit përcaktohet me mirëkuptim në mbledhjen e Kryetarit të Kuvendit me kryetarët e grupeve parlamentare. Kryetari ia propozon atë Kuvendit për votim në seancë plenare, i cili vendos me votim të hapur”, thuhet më tej në rregullore. LSI nuk do të ketë asnjë anëtar në Konferencën e Kryetarëve, e cila vendos për axhendën e punimeve të Kuvendit. LSI nuk do të ketë as privilegje, pasi sipas rregullores grupet parlamentare kanë dhe benefite, si financiare ashtu dhe administrative. “Çdo grupi parlamentar i vihet në dispozicion një sekretar administrativ dhe një këshilltar, ndërsa grupit më të madh parlamentar të shumicës dhe opozitës edhe tre deri në katër këshilltarë për fusha të caktuara të veprimtarisë parlamentare”, thuhet aty. Po ashtu u sigurohet zyrë dhe pajisjet e nevojshme të punës.