Bashkimi Evropian i ka bërë kërkesë kompanisë AstraZeneca që të dorëzojë të paktën 120 milion doza të vaksinës anti-COVID-19 deri në fund të qershorit, pasi në të kundërt do të përballen me gjoba financiare.
Lajmi u bë me dije sot nga një avokat që përfaqëson BE në hapjen e një çështje ligjore kundër kompanisë për furnizimet e vonuara.
AstraZeneca fillimisht kishte rënë dakord me BE për të dërguar 300 milion doza deri në fund të qershorit, por deri më tani ka dorëzuar vetëm 50 milion, ndërsa ka thënë se synon të dërgojë 100 milion doza të tjera deri në fund të qershorit.
Avokati i BE-së tha në gjykatë se kompania duhet të dorëzojë 120 milion doza deri në fund të qershorit në kërkesën e parë zyrtare të bërë deri më tani nga Brukseli.
Ai shtoi se BE “shpresonte” që pjesa e mbetur e 300 milion dozave mund të dorëzohej deri në shtator.
Në procedurat e shkurtra në gjykatën e Brukselit ra dakord se seanca e parë në çështjen e re do të ishte në 24 Shtator.
Ndërsa një seancë tjetër është caktuar tashmë për 26 maj mbi çështjen e parë ligjore në të cilën BE po kërkon një përshpejtim të menjëhershëm të dërgesave me dozat e vaksinës anti-Covid.
