Pas Edi Ramës për mikrofonin e Laura Tangherlini, gazetaren e Rai News 24 ka folur dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi. Ajo thotë se protesta vazhdon dhe se axhenda e opozitës varet nga qeveria.
“Protesta jonë do të vazhdojë. E gjithë axhenda jonë varet nga qeveria, nga vendimi i mazhorancës dhe populli do të jetë me ne, sepse ne jemi opozita, ne do ti mbrojmë dhe nuk do ti lëmë të provokohen nga forca të tjera, si forcat e sigurisë të qeverisë. Axhenda e opozitës është shumë mirë e organizuar dhe kjo axhendë do të shkojë para për ta kthyer Shqipërinë në rrugën e duhur, në një vend demokratik që synon të anëtarësohet në Europë përmes demokracisë”, ka thënë Kryemadhi.
Ajo ka shtuar më tej se institucionet janë të rrënuara dhe se është problem i Ramës nëse nuk arrin të kuptojë se çfarë po ndodh.
Gazetarja është kurioze të dijë se si ndikon politika në familje, duke pasur parasysh se është bashkëshortja e presidentit. Monika Kryemadhi ka këtë përgjigje: “Është shumë e vështirë, sepse ne jemi dy persona komplet të ndryshëm nga ana e karakterit, por gjithsesi në familje kemi gjithsecili rolin e tij. Unë jam nëna që kujdeset për fëmijët dhe ai është babai i shtëpisë, sigurisht ai mendon se aktiviteti ynë është pak i çuditshëm, pak si tepër agresiv nga pikëpamja e vendimeve që marrin (djegia e mandateve), por kjo është e vetmja mënyrë që ne të ndezim shpresën te populli se diçka po ndryshon në Shqipëri”.
