Agron Shehaj është një nga emrat më të njohur të Partisë Demokratike, i cili fitoi bindshëm mandatin e deputetit në zgjedhjet e 25 prillit dhe për fushatën që bëri.
Teksa mjaft zëra dolën kundër kreut të PD-së pas humbjes së zgjedhjeve çka solli dhe zgjedhjet brenda partisë për kryetarin më 13 qershor, Shehaj nuk ishte shprehur publikisht deri në momentin që emri i tij erdhi si surprizë si kandidat për kreun e PD-së.
Shehaj ka vendosur të flasë për zhvillimet politike dhe iniciativën e tij për të garuar, në orën 18.00 këtë të hënë, pasi emri i tij u zyrtarizua nga kryesia e PD-së të dielën.
“Të dashur miq. Ju falenderoj për mbështetjen e vazhdueshme. Sot kam thirrur mediat për konferencë shtypi në orën 18.00. Ju ftoj të më ndiqni!”, shkruan Shehaj në rrjetet sociale.
Më herët, kur bëri të ditur kandidaturën e tij, deputeti Shehaj tha se duhen energji të reja, vizion i ri dhe drejtim i ri. “Shqipëria ka sot nevojë për opozitë të fortë, parimore dhe frymëzuese. Shqipëria ka sot nevojë për Partinë Demokratike!”, u shpreh ai.
