Marka ofron një mbrojtje të dyfishtë si për biznesin, ashtu edhe për konsumatorët, prandaj regjistrimi i saj është një ndër faktorët kyç për të ndërtuar një kompani të suksesshme.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, bën të ditur se janë regjistruar 4100 aplikime të individëve dhe bizneseve në vitin 2020, për regjistrimin e markës. Sipas saj, kjo shifër tregon rritjen e ndëgjegjësimit të biznesit për të mbrojtur të drejtat e pronësisë industriale.
“Do të vijojmë të jemi mbështetje, për të mbrojtur konkurrencën dhe për të përmirësuar klimën e të bërit biznes. Regjistroni markën tuaj, mbroni biznesin, siguroni autenticitetin në treg”, shprehet Denaj.
Gjatë vitit 2020, Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale, zhvilloi 120 takime nëpër biznese, duke prekur 19 qytete dhe rrethe të Shqipërisë. Si rezultat i këtyre takime dhe fushatës ndërgjegjësuese, u shënuan 4100 aplikime për markë, nga të cilat 1164 aplikime kombëtare.
Regjistrimi i markës është shtylla kryesore e ekonomive në mbarë botën. Ato ofrojnë mallra dhe shërbime, krijojnë inovacione të mëdha, vende pune, bëhen bizneset e së ardhmes.
