Parashikimet janë thjesht baste, asnjë precedent nuk ndihmon, përpara është e panjohura. Por disa skenarë se çfarë mund të ndodhë mund të numërohen.
Për ta nisur nga skenari më i vështirë dhe më pak i mundshëm, sipas meje: qeveria provon të vazhdojë kështu siç është, me Ramën Kryeministër, sa më gjatë të jetë e mundur, mundësisht deri në vitin 2021 siç deklarojnë disa eksponentë të saj.
Një skenar si ky kërkon gjithnjë një situatë të brendshme stacionare, në të cilën protestat e opozitës vijojnë si një rutinë pa u shndërruar dot në uragan popullor. Kërkon gjithashtu qëndrime konstante, madje më aktive të SHBA dhe BE në mbështetje të qeverisë. Kërkon, më tej, masa efektive për zbutjen e krizës sociale dhe një dinamikë të re që mbetet për t’u shpikur në marrëdhënie me opozitën joparlamentare. Me fjalë të tjera, përpjekja e qeverisë për të qëndruar do të jetë një garë me kohën, siç është një garë me kohën përpjekja e opozitës për ta rrëzuar.
Një skenar i dytë është që opozita, tashmë e angazhuar vetëm në protesta, arrin të imponojë me forcën e numrave të protestuesve qeverinë tranzitore. Kjo kërkon që protestat të jenë të vazhdueshme dhe mbarëpopullore. Vetë rritja e pjesëmarrjes në protesta është gjithashtu e lidhur ngushtë me qëndrimet e SHBA-së, Gjermanisë dhe vendeve të tjera të BE-së ndaj konfliktit në vend. Masa ekstreme e djegies së mandateve e ka zvogëluar objektivisht marzhën e ndërhyrjes së tyre në favor të ndërmjetësimit duke qenë se do t’u duhet t’i hapnin dritën jeshile një precedenti me efekte domino nesër-pasnesër.
Në këto kushte, opozita e ka jetike për suksesin e saj komunikimin institucional me partnerët, duke i furnizuar me fakte dhe argumente që përligjin veprimin e saj në këto nivele. Shqiptarët në përgjithësi kanë gjetur gjatë dy-tri dekadave të fundit përgjigje të mëdha ekzistenciale dhe të dinjitetit kombëtar e personal nga vendet mike perëndimore. Prania dhe roli i ndërkombëtarëve ka qenë i tillë që ka lejuar një dialektikë të jetës demokratike në një vend të mbërthyer jo rrallë në fijet e një mosmarrëveshjeje më të ndërlikuar se ajo që ka përshkruar shkrimtari i shquar Ismail Kadare në librin e tij “Mosmarrëveshja”. Prania dhe angazhimi ndërkombëtar ka zhbërë, kur është dashur, deri skenarë të rrezikshëm të konfrontimeve të simuluara civile, të devijimit të orientimit perëndimor të Shqipërisë apo të diskreditimit të aftësive shtetformuese të shqiptarëve, duke dashur të ndalojnë vijon nga faqja 1 kohën e tyre në shekullin e ri.
Operacioni ushtarak ndërkombëtar “Alba” i vitit 1997 është një shembull ekzemplar. Të gjitha këto e shumë e shumë shërbime të tjera në të mirë të Shqipërisë u kanë dhënë SHBA dhe vendeve mike të BE-së një status shumë të veçantë në vlerësimin dhe mirënjohjen e shqiptarëve. Ja pse mbështetja ndërkombëtare për opozitën rrit vetvetiu mbështetjen popullore ndaj saj, ndërkohë që mosmbështetja bën të kundërtën. Posaqë ndërkombëtarët formojnë bindjen se opozita ka të drejtë dhe e shprehin këtë në mënyra të ndryshme, qeveria nuk mund të qëndrojë. Një skenar tjetër mund të jetë provokimi në një kontekst të caktuar i zgjedhjeve të parakohshme nga vetë Kryeministri, i cili e ka në dorë ligjërisht të rrëzojë veten e tij përmes një mocioni besimi nga deputetët e partisë së tij dhe t’i kërkojë pas kësaj Presidentit shpërndarjen e Parlamentit dhe caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme në afatet që parashikon Kushtetuta në raste të tilla. Për shumë arsye, ky skenar qëndron teorikisht, por ka shumë pak gjasa të konsiderohet. Ndërkombëtarët vështirë se do ta mbështesnin.
Opozita i kërkon zgjedhjet e parakohshme me një qeveri tranzitore me një Kryeministër tjetër dhe prandaj nuk do të merrte pjesë në këto zgjedhje. Ky skenar e lë krizën këtu ku është, ndaj nuk duket i mundshëm. Një skenar mund të ishte një marrëveshje ku merr një rol moderatori, në fakt rolin që i kërkon posti i lartë që mban në momente të tilla, Presidenti i Republikës, Ilir Meta. Zoti Meta e ka kundërshtuar në një intervistë që i dha radios “Dojçe Vele” djegien e mandateve të deputetëve. Pavarësisht se deklarata e tij nuk kalon pa shkaktuar ilaritet duke qenë se bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi është bashkëkryetare e opozitës, deklarata në fjalë e krediton atë si një aktor të ndërmjetësimit të konfliktit nëse shtrohet çështja. Ai ka thënë se opozita duhet të bëjë një hap prapa, kurse qeveria dy hapa prapa.
Zoti Meta duhet t’i specifikojë në komunikime konfidenciale apo edhe publike, nëse duhet, hapat që mendon se duhet të bëjnë prapa opozita dhe qeveria. Do të ishte një mundësi për të verifikuar potencialin dhe pranueshmërinë e tyre nga palët në një rrafsh më të gjerë gjykimi. Gjithsesi, edhe këtu kërkohet koordinimi me axhendën e ndërkombëtarëve që ka në krye të saj Reformën në Drejtësi dhe nuk do të miratonin marrëveshje që do ta margjinalizonin atë apo dekurajonin trupat e reja të drejtësisë. Edhe po të binte dakord Kryeministri.
Një skenar më vete është ai që mund të diktojnë qëndrimet e forta të ndërkombëtarëve si faktor në trepolaritetin e skenës politike shqiptare. Do të thotë se SHBA dhe Gjermania do të bëjnë çmos të ruajnë gjendjen e tanishme derisa të kenë parë të niset e të fillojë të japë produktin e saj drejtësia e re si përparësi e politikës së Uashingronit, Berlinit dhe Brukselit zyrtar në Shqipërinë e sotme. Në garën me kohën, mes trazirave eventuale të krizës politike në Tiranë dhe fillimit të drejtësisë së re, SHBA dhe BE impenjohen me përkushtim të shtuar për ngritjen përfundimtare dhe nisjen sipas Kushtetutës dhe ligjeve shqiptare të drejtësisë së re. Vetëm pas kësaj mund të ketë një hapje për një marrëveshje që i vendos palët politike në konflikt në pozita të njëjta përkundrejt drejtësisë së re në fazën e parë. Në politikë, ngjarjet zbulohen duke ndodhur. Të presim e të shohim.