Në një kohë që jeta është bërë gjithnjë e më e vrullshme, pyetja që po shtrohet më shpesh është nëse po dështojnë prindërit e rinj në mirërritjen dhe edukimin e fëmijëve të tyre. Të mos flasim për ata prindër që i shohin fëmijët vetëm kur shkojnë për të fjetur apo kur zgjohen në mëngjes sepse gjithë ditën, përveç punës së domosdoshme, gjejnë kohë për gjithçka, për shëtitje, kafe e dreka me miq e kolegë, për lloj-lloj aktiviteti e aventure, por nuk gjejnë kohë gjatë ditës apo mbrëmjes që të merren me fëmijët e tyre.
Sikurse mund të shihni edhe nga këto foto të realizuara pasditen e sotme nga tirananews.al, disa fëmijë jashtë çdo lloj kontrolli dhe vëmendjeje nga prindërit e tyre, kanë hipur mbi një prej instalacioneve në kryeqytet “Reja” duke rrezikuar edhe jetën e tyre.
Jo vetëm që nuk shoqëroheshin nga prindërit e tyre, por i përkisnin edhe një zone tjetër në kryeqytet duke qenë jashtë mbikqyrjes prej prindërve. Me mbylljen edhe të vitit arsimor, gjithnjë e më shumë pritet që të shohim fëmijë jashtë përkujesjes prindërore duke rrezikuar jetën nga aksidentet e mundshme.
Studimet e fundit tregojnë se një shkëputje fizike, emocionale e komunikuese mes prindit e fëmijës, krijon një boshllëk të pazëvendësueshëm.


