Maturantët ka vijuar sot sërish protestën që nisën ditën e djeshme për pakënaqësitë e tyre në lidhje me tezën e provimit të matematikës. Pasi e nisën protestën duke bllokuar rrugën para Ministrisë së Arsimit, maturantët u drejtuan për tek QSHA-ja.
Ata pretendojnë që teza e provimit të matematikës ishte tepër e vështirë dhe koha e vendosur në dispozicion për realizimin e saj sipas tyre, ishte e pamjaftueshme.
Të ulur këmbëkryq, ata kërkonin nga ministria që të paktën, të ulet tavani i pikëve, në mënyrë që, nxënësit e mirë të marrin nota pozitive dhe që mundi i tri viteve, të mos shkojë dëm.
“Reagimin e ministrisë nuk e pranojmë. Duam të ulet tavani i pikëve se shumë nxënës të mirë kanë dalë shumë keq. Koha nuk ishte e mjaftueshme, pyetjet ishin përkthyer skandal. Ne duam të marrim notat, që të kapim pikët për të shkuar në universitetet shtetërore”, tha një nga maturantet.
Maturantët që ndodhen në protestë, kërkojnë që deri ditën e nesërme Ministria e Arsimit të vendosë për të ulur tavanin e pikëve, si dhe kërkojnë nga korrigjuesit e tezave që të tregohen tolerantë, e të marrin parasysh faktin që mësimin e kanë kryer në kushte të pazakonshme, për shkak të pandemisë.
Kujtojmë që maturantët kanë edhe një provim për të realizuar dhe janë ato me zgjedhje që do të zhvillohen ditën e martë.
