Këshilltarët e këshillit bashkiak të bashkisë së Vlorës paraditen e sotme në orën 10:00 janë mbledhur në sallën “Rilindja” të universitetit “Ismail Qemali”, por Dritan Leli ashtu sikur pritej, pasi i kishte njoftuar ditën e djeshme nuk ka shkuar duke theksuar se është gati për të qenë i pranishëm vetëm online dhe jo fizikisht. Në rendin e ditës është diskutimi dhe miratimi i projektvendimit për sekretarin e këshillit, të cilin kryebashkiaku Leli nuk e ka kategorizuar te rastet urgjente për mbledhjen e këshillit. Ai thotë se nuk ka nxitim, pasi nuk është larguar nga puna, por ka dalë në pension.
“Ndjesë të gjithë lexuesve që e kanë humbur radhën e kërkesave të Këshillit Bashkiak për mbledhje jashtë radhe, por më duhet të sqaroj sërish se qëndrimi im për të zhvilluar mbledhje në ambiente të mbyllura, pavarësisht emrit, ngelet i njëjtë. Theksoj gjithashtu se nuk është bërë asnjë largim nga puna! Sekretari i Këshillit Bashkiak, Agron Gjipali, njësoj si disa kolegë të tjerë që kanë punuar në Bashkinë e Vlorës, gjatë këtyre ditëve, janë njoftuar se kanë plotësuar kushtet për të përfituar pensionin e pleqërisë” shkruante Leli dje në një postim në Facebook.
Kjo është hera e dytë që kryebashkiaku nuk shkon në përballje, pasi herën e parë refuzoi mbledhjen në teatrin “Petro Marko”, ku socialistët do i bënin “gjyqin” publik. Dritan Leli është kryetar i Bashkisë Vlorë që nga viti 2015 dhe është duke ushtruar tani mandatin e dytë. Rrugët e kryebashkiakut dhe kryeministrit Rama u ndanë në mars të këtij viti, kur Leli nuk pranoi të dorëhiqej si kryebashkiak dhe të kandidonte për deputet, ndërsa prej disa javësh kundër tij ka pasur një sulm kryesisht nga deputetët socialistë të qarkut bregdetar që e akuzojnë për gjendjen e infrastrukturës dhe jo vetëm në qytet.
