Ka ndërruar jetë papritur drejtori i Hipotekës së Sarandës, Armand Hysi. Mësohet se 44-vjeçari ndodhej në zyrë dhe dyshohet të ketë pësuar infarkt, çka ka sjellë vdekjen e menjëhershme.
Siç raporton Top Channel, personat që ndodheshin pranë tij e kanë çuar me urgjencë në spital, por gjithçka ka qenë e kotë, pasi burime nga spitali i Sarandës bëjnë të ditur se Hysi kishte mbërritur pa shenja jete.
Përveç detyrës si drejtor i Hipotekës së Sarandës që e kishte prej pak muajsh, Hysi ishte dhe pedagog në Universitetin e Gjirokastrës, “Eqerem Çabej”.
Lajmi ka tronditur jo vetëm familjen por dhe miqtë dhe ata që e njihnin, pasi Hysi nuk kishte pasur më parë probleme shëndetësore dhe sipas miqve të afërt nuk ka pasur ankesa për shëndetin.
