Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, gjatë një interviste në një emisionin televiziv foli për krisjen e marrëdhënieve me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha që çoi dhe në largimin nga partia.
Ish-ministrja e Integrimit për 7 vjet gjatë qeverisjes së PD, tha se “akt i parë tradhtie” u cilësua kërkesa për një pakt kombëtar për integrimin në Bashkimin Evropian në momentin që PD kaloi në opozitë.
“Kërkoja një pakt kombëtar për integrimin në BE dhe kërkoja që të mos bëhemi pengesë por të ishim kontributor. Ai ishte momenti i parë i tradhtisë sepse pakt kombëtar kuptohej si bashkëpunim me Edi Ramën dhe me qeverinë”, tha znj. Bregu.
Ish-deputetja e PD tregoi se tani nuk e gjen më emrin as si anëtare e PD.
“Unë nuk e kam as emrin më si anëtare e PD, më thanë dhe gjatë fushatës që në seksionin e partisë më dinin për të larguar dhe njëherë e mirë më kishin abandonuar dhe nuk e kisha emrin as te lista e anëtarësisë”, tha ajo.
