Mijëra vetë kanë rënë pre e një mashtrimi në Indi ku njerëzve u janë dhënë vaksina të rreme koronavirusit. Një sërë personash kanë përfunduar në pranga për këtë skandal, mes tyre edhe mjekë e punonjës shëndetësore.
Vishal Thakur, zyrtar i lartë i departamentit të policisë në Mumbai tha se njerëzve që prisnin të vaksinoheshin kundër Covid 19, u është administruar thjesht ujë me kripë.
Dozat e rreme llogaritet t’i kenë marrë të paktën 2500 persona.
Ideatorët e skemës u merrnin dhe para viktimave të tyre, e deri tani kishin fituar gati 30 mijë dollarë. Zyrtari pohoi se mjekët e arrestuar kishin përdorur një spital për të lëshuar certifikata të rreme, e merrnin aty shishka e shiringa. 14 persona janë ndaluar deri tani, por vala e arrestimeve pritet të vazhdojë.