Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar ristrukturim të policisë së shtetit dhe në nivel komisariatesh.
“Korrupsion, ryshfet, bakshish, poshtërsi, shëmtirë. Nga ana tjetër, ajo që unë konsideroj problematike në Policinë e Shtetit është mosnjohja dhe mosinformimi permament me ligjin. Ligjin duhet ta zbatojë çdo punonjës policie. Policia e Shtetit duhet të jetë një vatër dijeje, për praktikat e teknologjisë dhe inovacionit, për praktikat administrative dhe për praktikat e mira deri tek sjellja. Dhe që kjo vatër dijeje të fundkionojë plotësisht duhet që edukimi në vazhdim, trajnimet e provimet të jenë të pandërprera. Të gjithë kemi nevojë të mësojmë çdo ditë, çdo ditë ka diçka për të mësuar. Qëllimi i këtyre ndryshimeve në Policinë e Shtetit është shumë i qartë. Synimi i personave që sot drejtojnë falë besimit që kanë marrë nga Drejtori i Përgjithshëm. Njerëz që marrin në dorë drejtimin e Policisë në këtë fazë. Një fazë e re e planifikuar prej kohësh që kërkon ngjitjen e mëtejshme në një nivel mesatar evropian me shifra dhe me standarte të Policisë së Shtetit. Nëse do të rendija prioritetet me numra, do të thosha që prioriteti numër një është raporti me qytetarin që kërkon që patrullat e rendit, forcat ‘Shqiponja”, policia kufitare të hyjnë në një proces shkundjeje për të promovuar oficerë policie si ju vetë”, shprehet Rama.
Ai u shpreh se në dispozicion të policisë do të vendosen edhe dronët superinteligjentë që do të japin informacion në kohë reale për çdo rrënjë kanabis, ndërtim pa leje, lëvizjesh mjetesh apo forcash kriminale, tokë bujqësore, lumë, pyll e kështu me radhë. Një ultimatum Rama e pati për drejtuesit duke theksuar se kanë vetëm 100 ditë kohë dhe asnjë ditë më shumë, për të çuar para drejtësisë “skifterët dhe çakenjtë që qytetarët të marrin frymë lirshëm”.
