Nga 13 shtatori të gjithë nxënësit që ulen për herë të parë në bankat e shkollës, krahas “ABC- së”, do të mësojnë edhe alfabetin e gjuhës angleze. Ministria e Arsimit ka shpallur urdhrin dhe programin e gjuhës angleze, ndërsa sot do të shpallen shtëpitë botuese që do të bëjnë gati tekstet për më të vegjlit e 9-vjeçares.
Referuar gazetës ‘Panorama’, në urdhrin e publikuar thuhet se: Nga marsi, kur u shpreh si pjesë e planit qeverisës, kanë mjaftuar vetëm dy muaj për të materializuar urdhrin bashkë me programin mësimor të gjuhës së huaj, të publikuar në 1 qershor, tre muaj përpara nisjes së vitit të ri shkollor.
Ndërsa në 12 korrik do të shpallet shtëpia botuese. Ndonëse nuk kanë mësuar shqipen, praktikisht nxënësit do të duhet të punojnë me libra. Sipas Ministrisë së Arsimit, anglishtja do të vijojë të mësohet si gjuhë e huaj e parë, siç edhe gjykohet e përshtatshme nga ekspertët dhe vetë prindërit e fëmijëve.
Mësimi i hershëm i gjuhës angleze shihet si i lidhur ngushtë me njohjen dhe përdorimin e teknologjisë. Për t’i mbajtur fëmijët brenda IT-së, do të implementohet edhe një tjetër risi, po këtë vit: që në klasën e parë do të bëhet edhe edukim për teknologji dhe informacion. Por për këtë, nuk ka ende asnjë detaj më shumë.
