Abuzimi me tenderin e uniformave të Policisë me vlerë 2.8 miliardë lekë, u pasua më një valë arrestimesh në ministrinë e Brendshme.
Plarent Ndreca, që në kohën kur u tha tenderi ishte sekretar i përgjithshëm i ministrisë së Brendshme, tha se ndjen keqardhje për arrestimet. Gjithsesi, Ndreca u shpreh në emisionin Breaking se sekretari dhe ministri nuk kanë hedhur asnjë firmë në lidhje me tenderin e uniformave.
“Ndjeva keqardhje, nuk është lajm që është i pëlqyeshëm, që u hiqet liria disa funksionarëve. Ndjeva trishtim. Sa i përket aspektit ligjor është një akt që duhet përshëndetur. Duhet të jemi të përmbajtur në deklarimet publike dhe mediatike, për të mos krijuar presion tek asnjëra nga palët në proces. Nga pikëpamja kushtetuese ata persona janë ende të pafajshëm.”, tha Plarent Ndreca
Pyetje: A bëhet tenderi pa firmën e ministrit apo sekretarit të Përgjithshëm?
Ndreca: Patjetër që bëhet. Agjencia është e pavarur. Është një cikël i mbyllur.
Pyetje: PD iu përmend edhe ju, edhe ministrin e brendshëm.
Ndreca: PD nuk di t’i lexojë rezultatet e zgjedhjeve. Vazhdon me historitë me karakter krejtësisht politik. Të njëjtën gjë bëri edhe Alibeaj, që fatkeqësisht është edhe jurist. Vazhdojnë me metodën e vjetër. Qytetarët janë të ngopur me këto deklarime.
Ndreca u shpreh se kishte dijeni për tenderin, por jo për çdo hap procedurial.
