Twitter ka bllokuar portalin ballkanit “Vicinity”, i cili është i njohur për shkrimet investigative, por dhe thyerjen e tabuve në Ballkan duke i mëshuar idesë së pajtimit mes ish-republikave jugosllave, por dhe shqiptarëve.
“Pa dashur të ndërhyjmë në politikën e biznesit të Twitter-it dhe të analizojmë kriteret që përdor për të pezulluar një llogari, jemi të befasuar që një projekt si “Vicinity” ishte mes të padëshiruarve, pasi, së pari, nëpërmjet gjashtë sezoneve të serive të tij televizive (transmetuar në 13 kanale në ish Jugosllavi dhe në Shqipëri) dhe më pas për dhjetë muaj në portalin në rrjet, ekipi i projektit “Vicinity” ka punuar dhe ka bërë gjithçka për të bashkuar qytetarët e rajonit rreth idesë të pajtimit, duke nxitur parimet demokratike dhe të gjitha vlerat themelore njerëzore europiane – universale.
Llogaria e projektit Vicinity u pezullua ditën e botimit të temës ‘Nacionalizmi dhe ndikimi i tij shkatërrues në procesin e pajtimit’. Ne besojmë se Twitter-i, me dëshirën e mirë për të identifikuar dhe ndaluar përhapjen e ideve që janë krejtësisht tjetër nga ajo çfarë ne promovojmë, ka bërë një gabim. Fondi Europian për Ballkanin dhe Lëvizja Europiane në Serbi mbështesin dhe inkurajojnë përpjekjet për të rregulluar hapësirën e gjerë mediatike në rrjetet sociale dhe bëjnë thirrje për gjetjen e mekanizmave në mënyrë që ata që e drejtojnë angazhimin e tyre profesional drejt këtij qëllimi, të mos pengohen në këto përpjekje. Është e qartë që përveç sulmit të fundit të hacker-ave në faqen tonë të internetit, llogaria në Tëitter u pezullua në momentin kur ne ia kushtuam këtë temë historisë së të keqes që lloje të ndryshme nacionalizmi u kanë shkaktuar qytetarëve të rajonit”, thonë drejtuesit e këtij portali.
Projekti i Fondit Europian për Ballkanin dhe Lëvizjes Europiane në Serbi ka qenë një hapësirë e gjerë për reflektim kritik, shkëmbim argumentesh dhe idesh, duke ushqyer një kulturë dialogu në promovimin e ideve të pajtimit dhe bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor. Për këtë, në vitin 2016, projekti u vlerësua me çmimin Iniciativa Mediatike e Vitit nga “European Citizenship Award”.
