Presidenti Ilir Meta gjatë vizitës zyrtare në Egjipt është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të Ligës Arabe, Ahmed Aboul Gheit. Takimi vjen pas përfundimit me sukses të samitit të parë të Ligës Arabe me BE-në.
Në këtë kuadër Meta tha se “si vend kandidat për në Bashkimin Europian dhe si vend mik me vendet e Ligës Arabe, Shqipëria është shumë e interesuar që ky bashkëpunim të forcohet gjithnjë e më shumë”.
Gjithashtu, Presidenti Meta e njohu Gheit me zhvillimet më të fundit pozitive në rajonin e Ballkanit, si dhe orientimin e vendeve të tij drejt Bashkimit Europian dhe NATO-s.
Të dy bashkëbiseduesit u ndalën dhe tek sfidat me të cilat përballen rajoni i vendeve të Ligës Arabe dhe ai i Ballkanit Perëndimor.
