Samiti i dytë i Diasporës ka çelur siparin këtë të premte me sesionin qëndror kuvendues. Pritet të mbajnë fjalën e tyre personalitete të shumta të politikës shqiptare dhe jo vetëm, nga kryeministri Edi Rama, presidenti Hashim Thaçi, politikanë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi dhe më gjerë, por edhe ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko.
Në këtë samit pritet të diskutohen çështje të rëndësishme, si vota si e drejtë e emigrantëve, zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm i vendit tonë, Shqipërisë; identiteti shqiptar, por edhe ftesat nga “shtëpia jonë” për të huajt që duan të vizitojnë vendin tonë me mrekullitë e saj natyrore dhe humane që ofron.
Kreu i opozitës reagoi mbrëmjen e shkuar se nuk do të shkonte në samit. “Ne i kemi një borxh të madh diasporës, ndaj nuk mund të pranoj kurrë përdorimin e saj si fasadë nga njeriu që mbushi kampet e azilkërkuesve me 300 mijë shqiptarë duke i përzënë nga shtëpitë e tyre, ja nxiu faqen Shqipërisë me kanabisin dhe ja dorëzoi vendin oligarkëve dhe krimit”, tha Basha.
