Nga 9 gushti, Franca do të zbatojë legjislacionin e ri që e bën të detyrueshme pasaportën shëndetësore për hyrje në kafeteri, udhëtim me aeroplan apo udhëtim me tren nga qyteti në qytet, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë franceze Gabriel Attal, të mërkurën.
Legjislacioni i miratuar nga Parlamenti në fundjavë, ka nxitur protesta masive në Francë, mirëpo Qeveria është e bindur për ta çuar atë përpara dhe për t’i bërë pasaportat shëndetësore pikë kyçe në luftën kundër koronavirusit.
Një pasaportë e vlefshme shëndetësore sigurohet nga vaksinimi i plotë, testi negativ për koronavirus, apo shërimi nga infektimi. Legjislacioni e bën të detyrueshëm vaksinimin për punëtorët shëndetësorë.
Zëdhënësi Attal ka thënë se pasaporta shëndetësore do të jetë e detyrueshme në kaefeteri, restorante, fluturime dhe udhëtime tjera të brendshme në Francë.
