Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi të mërkurën kërkesën e Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, ILD për shqyrtimin në seancë të procedimit disiplinor ndaj gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, Pajtime Fetahu.
Kërkesa e ILD-së është depozituar në KLGJ me 28 korrik, ndërkohë që inspektimi disiplinor ndaj Fetahut ka filluar në vitin 2017, pas publikimit të disa video përgjimesh të një qytetari me gjyqtaren dhe një punonjës policie nga emisionit ‘Stop’ në TV Klan.
Në videon e transmetuar me 31 janar 2017, magjistratja akuzohet se ka marrë 2 mijë euro rryshvet për uljen e dënimit ndaj një të burgosuri.
Pas publikimit të videos ish-Prokuroria për Krime të Rënda ka regjistruar procedim penal ndaj gjyqtares dhe Gjykata për Krime të Rënda ka vendosur pezullimin e saj nga detyra. Një procedim disiplinor është iniciuar nga KLD, por është pezulluar deri në përfundimin e hetimeve penale.
Pasi Prokuroria për Krime të Rënda e ka pushuar procedimin për korruspion ndaj gjyqtares dhe ky vendim është miratuar nga gjykata, ILD e ka rifilluar hetimin disiplinor.
Bazuar në vendimin e gjykatës, ILD ka konstatuar se edhe pse nuk provohet se gjyqtarja ka kryer akte korruptive, nga hetimi janë konfirmuar akte dhe sjellje diskredituese për figurën e magjistrates.
Në kërkesën për procedimin e gjyqtares ILD shprehet se ajo ka zhvilluar takime jashtëgjyqësore me një palë ndërgjygjesë dhe ka përdorur shprehje te papërshtatshme për një gjyqtare, duke cënuar besimin e publikut tek drejtesia.
Sipas ILD-së Fetahu gjithashtu ka shkelur “normat e etikës së komunikimit me publikun.”
ILD ka propozuar si masë disiplinore ndaj Fetahut uljen e pagës në 40% për 1 vit. KLGJ vendosi që seanca dëgjimore ndaj Fetahut do të mbahet me 16 shtator në orën 14:30.