Gjatë 48 orëve të fundit janë konstatuar përsëri shumë drejtues mjetesh që kanë tejkaluar shpejtësinë më shumë se limiti i lejuar dhe drejtues që kanë drejtuar mjetet nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Janë arrestuar në flagrancë 19 drejtues mjetesh dhe motomjetesh, nga të cilët 11 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 8 për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Janë pezulluar 61 leje drejtimi, nga të cilat 37 për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe 24 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Janë ndëshkuar me masë administrative, në të gjithë vendin, 2567 drejtues mjetesh, për shkelje që sjellin pasoja në jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës.
Ndërkohë, nga Policia Rrugore e Elbasanit janë evidentuar dhe ndëshkuar dy drejtuesit e mjeteve që janë shfaqur në rrjetet sociale, konkretisht:
Është ndëshkuar me masë administrative 30.000 mijë lekë të rinj, shtetasi F.S., i cili drejtonte një karrotrec me të cilin po transportonte një automjet me dyer të hapura, duke u bërë rrezik për jetën e përdoruesve të tjerë të rrugës.
Gjithashtu, është evidentuar dhe drejtuesi i mjetit “Benz”, shtetasi E. C., i cili me automjetin e tij ka kryer një parakalim të rrezikshëm në rrugë. Ky shtetas është ndëshkuar me masë administrative 6.000 mijë lekë të rinj, pezullim 4 muaj të lejes së drejtimit dhe zbritje 3 pikë.
