Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka shuar zërat se do të ketë ndonjë takim mes tij dhe kryeministrit Edi Rama. “Jo tango që të mbajë në pushtet një grup politikanësh të korruptuar”, tha Basha.
“Me kë të dialogosh? Një rol të rëndësishëm kanë të gjithë ata njerëz që kuptojnë se nuk bëhet fjalë vetëm për fatin e një partie politike por për fatin e shqiptarëve. Mund të vazhdohet më kështu? me një qeveri të kapur në flagrancë duke vjedhur votat”, u shpreh Basha.
Takimi i vetëm që unë kam, tha kreu i PD-së është ai me qytetarët shqiptarë më 16 mars. “Një qeveri përgjegjëse para qytetarëve dhe jo kriminelëve, ndaj dhe takimi i vetëm që unë kam është ai me qindra-mijra shqiptarë më 16 mars në protestën e madhe kombëtare dhe takimet e tjera para asamblesë së krimit që ka uzurpuar ndërtesën e Kuvendit të Shqipërisë”, vijoi ai.
Ai ka dhe një mesazh për ndërkombëtarët, të cilët i hodhën poshtë pretendimet e opozitës. “Shqiptarët nuk hanë e pinë në pritje luksoze në Rogner, në përfaqësi diplomatike, por jeton në në kushte të vështira dhe detyra jonë është t’i përgjigjemi kërkesave të tyre. Të gjithë ndërkombëtarët që duan që Shqipëria të jetë si gjithë Europa nuk mund të kërkojnë asgjë më shumë në raport me qytetarët shqiptarë se sa kanë për qytetarët e tyre”, tha Basha
