Studentët, që duan të kalojnë vijimin e studimeve në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës, duhet të kryejnë procedurat e aplikimit brenda dy javëve të para të muajit shtator. Sipas kushtit të përcaktuar në udhëzimin e dikasterit të Arsimit për ciklet e pranimeve në në universitete, aplikimi për transferim studimesh mund të bëhet vetëm nga një program studimi i njëjtë ose i ngjashëm i të njëjtit cikël edhe lloj të ndjekur nga kandidati përkatës në një tjetër institucion të arsimit të lartë publik, jopublik që është i licencuar dhe i akredituar për programin e studimit, qoftë ky vendas apo i huaj.
Ka nisur tashmë edhe konkurimi për kuotat e reja të pranimeve për ciklin e transferimeve, i cili edhe këtë vit do të zhvillohet nëpërmjet konkurimit me anë të dosjes. Çdo student i interesuar për procesin e transferimit të studimeve, duhet që deri në datën 13 shtator të dorëzojë dosjen e dokumenteve të kërkuara pranë sekretarisë mësimore të këtij fakulteti. Në përfundim të periudhës së caktuar për aplikimet, një komision ekspertësh do të bëjë vlerësimin e të gjitha dosjeve të paraqitura për të përcaktuar edhe kandidatët që përmbushin kriteret për të kaluar ndjekjen e studimeve të vitit të dytë, apo edhe më lart, në një nga programet e Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës për vitin e ri akademik 2021-2022.
Në dosjen e konkurimit duhet të paraqisni këto dokumnete: kërkesën e aplikimit të plotësuar sipas formatit të përcaktuar, planin e plotë të programit të studimit përfshirë dhe syllabuset përkatëse për programin që keni ndjekur, vërtetim të listës së notave dhe krediteve të fituara për çdo lëndë dhe detyrim të shlyer, i cili do të shërbejë për ekuivalentimin e notave të lëndëve të programit të studimit të ndjekur, kopjet noterizuara të dëftesave të shkollës së mesme së bashku me listën e notave, mjetin e idenitikimit, mandat pagesës së aplikimit për transferimin e studimeve të derdhur në një nga bankat e nivelit të dytë, si dhe fotografi të formatit për dokumente. Dosjen e detajuar të dokumenteve e gjeni të plotë edhe në vijim të shkrimit.
Autoritetet drejtuese të këtij institucioni të arsimit të lartë publik bëjnë me dije se kandidatët që aplikojnë për transferim studimesh duhet të plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave për vitin përkatës akademik. Ndërsa në rastet e transferimit të studimeve nga brenda ose jashtë vendit, brenda të njëjtit cikël, studentët duhet të plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar me vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave të vitit akademik që studenti është pranuar në institucionin e arsimit të lartë, duke filluar nga viti akademik 2016–2017 dhe në vijim. Procesi i aplikimit për transferimin e studimeve mund të bëhet vetëm para nisjes së vitit akademik dhe jo ndërmjet smestrave.
“Nuk mund të pranohen aplikime për transferime gjatë vitit akademik. Kandidatët që aplikojnë për transferim tëstudimeve apo për program të dytë studimi duhet të plotësojnë kriteret e përcaktuara nga institucionet e arsimit të lartë përprogramet e studimit për të cilët aplikojnë. Kandidati nuk duhet të jetë duke ndjekur një tjetër program studimi”, sqarohet në udhëzimin e miratuar më herët nga MASR në lidhje me pranimet e reja të çdo cikli në institucionet e arsimit të lartë publik.
Po sipas kushteve të përcaktuara, gjithashtu duhet të dini se nuk mund të kryhen transferime studimesh nga një nivel cikli studimesh apo të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve në një tjetër. Çka do të thotë se në asnjë rast nuk mund të kryhen transferime studimesh nga programet e studimeve dyvjeçare me karakterprofesional në programe të ciklit të parë “Bachelor” dhe në programe të integruara të studimeve të ciklit të dytë “Master i shkencave”. Gara për kuotat e transferimeve pritet të jetë e ashpër, kjo për shkak të numrit të kufizuar të kuotave të miratuara nga Universitetet, krahasuar me fluksin e lartë të kërkesave që paraqiten nga studentët e interesuar.
Afatet e aplikimit dhe shpalljes së fituesve për kuotat e transferimeve
Aplikimi për transferimin e studimeve zhvillohet ndërmjet dative 2-13 shtator 2021.
Shpallja e listave të kandidatëve që kanë aplikuar për transferim do të bëhet në datën 17 shtator.
Publikimi i listave me renditjen e kandidatëve do të bëhet në datën 24 shtator.
Ankimimi mund të bëhet brenda tre ditëve kalendarike nga data e shpalljes së rezultateve.
Shpallja e listave përfundimtare me kandidatët të pranuar bëhet në datën 27 shtator.
Regjistrimi i kandidatit fitues do të bëhet në datat 7-11 tetor.
Plotësimi i kuotave të mbetura bosh, sipas kandidatëve të renditur sipas pikëve të fitura mbas vijës së kuqe 18 tetor.
Dosja që duhet të dorëzoni për transferimin e studimeve
Kërkesën drejtuar Fakultetit Ekonomik për programin e studimit, në të cilin doni të transferoni studimet, që duhet plotësuar sipas formatit të përcaktuar.
Planin e plotë të programit të studimit përfshirë dhe syllabuset përkatëse.
Vërtetim të listës së notave dhe krediteve të fituara për çdo lëndë dhe detyrim të shlyer, i cili do të shërbejë për ekuivalentimin e notave të lëndëve të programit të studimit të ndjekur.
Studentët që transferojnë studimet e tyre nga një institucion i huaj i arsimit të lartë, planin e plotë të programit të studimit përfshirë dhe syllabuset përkatëse dhe listën e notave dhe krediteve të fituara për çdo lëndë dhe detyrim të shlyer, duhet t’i dorëzojnë të përkthyer në gjuhën shqipe dhe të njësuar me origjinalin.
Fotokopje të noterizuar të dëftesës së pjekurisë të shkollës së mesme (kandidati që ka përfunduar shkollën e mesme në Republikën e Shqipërisë përpara vitit 2011). Në mungesë të diplomës së Maturës Shtetërore apo dëftesës së pjekurisë së shkollës së mesme duhet të paraqesë dublikatë të dëftesës së pjekurisë të lëshuar nga drejtoria e shkollës se mesme dhe të vërtetuar në drejtorinë rajonale të arsimit parauniversitar/ zyrën vendore të arsimit parauniversitar (DRAP/ZVAP) përkatëse, ose listën e notave të shkollës se mesme të lëshuar nga Arkivi i Shtetit;
Fotokopje të dokumentit të identifikimit (kartë identiteti, letërnjoftim ose pasaportë).
2 fotografi personale.
Kopje të mandatpagesës së aplikimit.
