Një 52-vjeçar është transportuar në gjendje të rëndë nga Saranda drejt spitalit të Traumës në Tiranë me helikopter. Burime zyrtare të policisë së qarkut bëjnë të ditur se N. K., nga Lezha është gjetur në gjendje të rëndë rreth orës 11.00.
“Nga hetimet paraprake shtetasi N.K, është gjetur i shtrirë në tokë në një rrugicë në Volloder të Himarës, me disa dëmtime në kokë i cili është nisur drejt Tiranës për mjekim më të specializuar. Po punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes“,bën të ditur njoftimi zyrtar i policisë.
Burime jozyrtare bëjnë të ditur se 52-vjeçari mund të ketë qënë në gjendje të dehur e për pasojë është rrëzuar duke marrë dëmtime në kokë. Megjithatë hetimet e policisë pritet të hedhin dritë mbi ngjarjen.