“Ai hoqi frigoriferin nga priza me qëllim që ta merrte dhe ta shiste, pasi sikundër kam denoncuar dhe më herët, nipi im ka nevojë për para sepse është përdorues droge”. Ky është denoncimi i një gruaje ndaj djalit të së motrës, të cilës i kishte hapur dyert dhe e kishte lejuar të qëndronte në shtëpinë e saj prej vitesh. E.Z. sipas referimit në polici pranë Drejtorisë Vendore të Tiranës i kishte shitur të gjitha orenditë dhe të dyja gratë, si e ëma dhe tezja e tij dhunoheshin rregullisht. Orendia e fundit që kishte mbetur në banesën e A. B ishte frigoriferi, të cilin gruaja nuk e ka lejuar ta marrë. I riu u arrestua menjëherë, mbasi përveç kallëzimit të tezes, asaj ju bashkua edhe e ëma e tij, që tregoi se si i biri përdorues droge e dhunonte përherë mbasi i duheshin pambarimisht të ardhura për të blerë drogë. Në procesverbalet e vendosur në dispozicion Gazetës Si përshkruhet rrëfimi i dy grave, njëra prej tyre prej vitesh emigrante në Greqi, ndërsa e ëma me banim në Tiranë dhe me status e divorcuar.
“Për shkak të gjendjes shëndetësore u largova në Greqi”, pohon pranë policisë kallëzuesja A.B. Pikërisht këtë vit pra në 2014 kam bërë kallëzimin e parë në polici, mbasi konstatova që i kishte vjedhur të gjitha orenditë në shtëpinë time. Në dijeninë time nipi është arrestuar edhe herë tjetër dhe ka vuajtur 6 muaj burg. Me lejen time motra V. B jetoi në shtëpinë time së bashku me djalin, mbasi ajo është e divorcuar, por kur u ktheva në dhjetor 2020 konstatova sërish se një pjesë e mobilieve përfshi edhe dritaret e duraluminit, bolieri dhe pompa e ujit ishin hequr”.
Denoncuesja përmend se kishte pyetur të motrën se ku ishin orenditë dhe pajisjet elektroshtëpiake, por siç duket ajo për të mbrojtur të birin dhe për të mos nxjerrë në pah të vërtetën është justifikuar: i ka dëmtuar tërmeti i 2019-s.
Në kushtet kur e zonja e shtëpisë është bindur se nipi i saj ishte rënduar nga droga dhe nën dyshimet se ai mund të ishte bërë i dhunshëm, ajo ka shtruar kërkesën e parë ndaj të motrës. I kërkoi që të largohej në një banesë tjetër me qira. Për këtë arsye, denoncuesja ju ka lënë atyre kohë dhe kur është kthyer me pushime ka përsëritur kërkesën, teksa ka vërejtur se ndërkohë në shtëpi mungonte çdo gjë tjetër me përjashtim të frigoriferit.
“I thashë të dilte, duke i kujtuar se në të kundërt do njoftoja policinë, por nipi tha se nëse guxoja do më vriste. Në sytë e mi, në praninë time ai rrahu të ëmën. Ai hoqi frigoriferin nga priza për ta shitur. Kundërshtova dhe njëkohësisht ai më qëlloi me shuplakë dhe më kërcënoi se do më vriste. Ndihem e pasigurt për jetën, ai është përdorues dhe do bëjë çdo gjë për paratë, kam frikë për motrën dhe jetën e saj”, mbyll denoncimin pranë Drejtorisë Vendore gruaja.
Por mbas tezes, versioni është konfirmuar në polici edhe nga e ëma e përdoruesit me inicialet V. B. Ajo ka vendosur mos ta fshehë më të vërtetën dhe ka rrëfyer skena dhune dhe kërkesa për para, e njëherazi pamundësinë e saj për ta nxjerrë të birin nga rruga e drogës.
“Im bir lindi në banesën që na lejoi motra të jetonim, jam e divorcuar dhe po djali im është përdorues. Ditën që hoqi frigoriferin nga priza ai e goditi motrën time dhe meqenëse po vazhdonte ta godiste unë ndërhyra për ta mbrojtur motrën time. Për këtë shkak ai më goditi me shpulla, por unë nuk erdha me motrën që ta kallëzoja. Është im bir dhe shpresoja se do dilte nga droga”, thotë nëna e të riut.
Policia i thotë Gazetës Si se në vitin 2012, i riu është i kallëzuar nga tezja e tij për dhunë e njëherazi dhe në vitin 2014 për vjedhjen e sendeve dhe orendive familjare. “Shumë familje nuk janë në dijeni të rreziqeve reale dhe nuk i kuptojnë ndryshimet te fëmijët e tyre, ata shpresojnë se fëmija do rikuperohet vetvetiu, por kjo nuk ndodh. Gjatë pandemisë janë rritur rastet e dhunës nga të rinj që kanë varësi nga droga – dëshmoi për Gazetën Si një zyrtar i policisë së rendit që tregoi se çdokush duhet të jetë i shqetësuar dhe vigjilent për sjelljet e fëmijës dhe çdo ndryshim të ritmit të tij. “Kemi grabitje nga përdorues droge që kanë varësi dhe nuk kanë të ardhura, gra të dhunuara nga bashkëshortë përdorues droge, prindër të dhunuar dhe të keqtrajtuar nga përdorues, që përfundojnë në burg, mbasi familjarët ndihen të kërcënuar për jetën. Por kjo nuk është zgjidhja, burgu nuk është zgjidhja”, tha i njëjti zyrtar për Gazetën Si. Edhe i riu E. Z përfundoi në burg nga denoncimi, por shpresat që ai ta lërë drogën atje janë fare të pakta. /Gazeta Si