Gazetarja Anila Hoxha ka zbuluar se drejtuesit e vërtetë të burgut të Peqinit janë bërë tre të dënuarit e ambienteve të sigurisë së lartë, Klemend Balili, Dritan Dajti dhe Arben Grori. Në një postim në rrjetet sociale, Hoxha shkruan se një i burgosur e ka harxhuar telefonatën e javës me të duke i treguar se në të vërtetë “Komanda e burgut” janë këta tre persona që kanë bërë sus dhe policinë, veçanërisht sektorin numër katër, godinën B. Madje ata vendosin se kush do të dalë në ajrim, kush jo dhe se si do të qëndrojnë të burgosurit në qeli.
Në fund, me humor, gazetarja shton se i burgosuri i kishte komunikuar një gënjeshtër sepse ndryshe gjithë këto institucione nuk do të qëndronin kot, do ta kishin zbuluar këtë komandë me përgjimet dhe letrat e të dënuarve që janë dërguar në ministri e Prokurori. Me këtë të fundit, Hoxha nënkupton se kjo nuk është hera e parë që një i burgosur i këtij institucioni ngre zërin për këtë rrjet të ri komanduesish, por ka edhe të tjerë që kanë informuar autoritetet me anë të letrave.
